Komuna e Dibrës ka nisur punimet për rikonstruksionin e fushës shumëfunksionale sportive në SHFK “Riste Risteski” në fshatin Mogorçë.
Me këtë projekt do të krijohen kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive, rekreative dhe shkollore, duke u ofruar nxënësve dhe banorëve një hapësirë moderne dhe funksionale.
Ky investim realizohet nga buxheti i Komunës së Dibrës.
Qytetarët dhe vizitorët tani mund të lidhen me Wi-Fi publik falas në këtë lokacion:
Qendra e qytetit – Dibër
Rrjeti Wi-Fi është vendosur në kuadër të iniciativës WiFi4WB, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, ndërsa zbatohet nga GIZ si pjesë e projektit EU4Digital.
Qëllimi i kësaj iniciative është të ofrojë internet publik falas në Maqedoninë e Veriut dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Komuna e Dibrës është një nga 500 komunat dhe qytetet në rajon që do të përfitojnë nga rrjeti WiFi4WB, sipas modelit të programit WiFi4EU, i cili ka mundësuar internet publik falas në më shumë se 7.000 lokacione në Bashkimin Evropian.
Të gjithë qytetarët dhe vizitorët mund të lidhen falas dhe të përdorin një lidhje të sigurt interneti.
Me këtë mbështetje, Komuna e Dibrës vazhdon të përmirësojë shërbimet publike dhe të forcojë lidhjen digjitale të komunitetit lokal.
Me kënaqësi, sot në zyrën time prita Franck dhe Blandine nga Franca, të cilët vizituan Dibrën për të njohur nga afër bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe vlerat turistike që ofron qyteti ynë.
Është inkurajuese që çdo ditë po rritet numri i turistëve që zgjedhin Dibrën si destinacion për të zbuluar pasuritë e saj. Kjo na motivon edhe më shumë të punojmë për zhvillimin dhe promovimin e turizmit si një nga sektorët më të rëndësishëm për të ardhmen e komunës sonë.
Për këtë arsye, si Komunë e Dibrës, tashmë jemi në fazën e përgatitjes së Planit Strategjik për Zhvillimin e Turizmit, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, promovimin e potencialeve tona dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.
Sonte filloi aktiviteti i parë i Kalendarit Veror “Dibra 2026” me organizimin e turneut në tenis, ku po marrin pjesë tenistë nga Dibra.
Turneu krijoi një atmosferë sportive dhe entuziazëm, duke shënuar fillimin e një vere të mbushur me aktivitete sportive, kulturore dhe artistike për të gjithë qytetarët.
I urojmë suksese të gjithë pjesëmarrësve dhe ftojmë qytetarët të bëhen pjesë e aktiviteteve të shumta që do të organizohen në kuadër të Kalendarit Veror “Dibra 2026”.
Pas përfundimit të rrugës “Fuad Dibra (1 Maji)”, edhe gjatë fundjavës vazhduan intensivisht punimet drejt përfundimit të asfaltimit të rrugës “Migjeni”, një nga nyjet kryesore që lidh pjesën e sipërme (pjesën e vjetër të qytetit).
Ky investim sjell një infrastrukturë moderne, më të sigurt dhe më funksionale, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje më të lehtë dhe më komode pas një pritjeje të gjatë.
Vazhdojmë të punojmë për një Dibër më të zhvilluar, me rrugë cilësore dhe kushte më të mira për të gjithë qytetarët.
Kjo verë vjen ndryshe! Për herë të parë, Komuna e Dibrës sjell një kalendar të organizuar me aktivitete kulturore, sportive dhe argëtuese që do ta bëjnë qytetin tonë edhe më të gjallë gjatë gjithë sezonit veror.
Nga turnetë sportive, maratona, hiking-u , Dibra Fest, panairi i ushqimeve tradicionale, aktivitetet për mërgimtarët, ekspozitat, kolonitë artistike, kinemaja verore, shfaqjet teatrore e deri te Dita e Komunës – “Vera Dibrane 2026” sjell një program të pasur për të gjitha moshat. Ju ftojmë të gjithë qytetarët, mërgimtarët dhe mysafirët të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve dhe ta shijojmë së bashku një verë plot kulturë, sport, argëtim dhe kujtime të bukura.
Sot, Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, pati kënaqësinë të mirëpresë në zyrën e tij dy të rinjtë dibranë, Eugen Papraniku dhe Jonus Aziri, të cilët arritën një sukses të jashtëzakonshëm në Coding Olympiad të zhvilluar në Romë.
Eugeni u vlerësua me 2 medalje, ndërsa Jonusi me 3 medalje, duke dëshmuar talentin, përkushtimin dhe punën e palodhur që i ka çuar drejt rezultateve të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare.
Gjatë takimit u zhvillua një bisedë frymëzuese mbi teknologjinë, programimin, inteligjencën artificiale dhe mundësitë që këto fusha u ofrojnë të rinjve. Kryetari Mela theksoi se Komuna e Dibrës do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë të rinjtë e talentuar, pasi ata janë forca që ndërton të ardhmen e qytetit tonë.
Këta dy të rinj nuk përfaqësojnë vetëm suksesin e tyre personal, por edhe potencialin e madh që ka Dibra në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe dijes.
Urime Eugen Papranikut për 2 medaljet dhe Jonus Azirit për 3 medaljet, si dhe mentorëve nga Digital School Macedonia për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre në këtë arritje të jashtëzakonshme.
Furnizimi me Pajisje për Menaxhimin e Mbeturinave me Instalim
Komuna e Dibrës njofton publikimin e dosjes së tenderit për procedurën:
“Furnizimi me Pajisje për Menaxhimin e Mbeturinave me Instalim”
Numri referues i procedurës: REWASTE/DEBAR/SUPPLY/2026/02
Procedura realizohet në kuadër të projektit ReWaste, i cili zbatohet në kuadër të Programit Interreg VI-A IPA “Greqi – Maqedonia e Veriut 2021–2027” dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian në masën 80% dhe nga fondet kombëtare në masën 20%.
Komuna e Dibrës synon të lidhë një kontratë furnizimi për pajisje për menaxhimin e mbeturinave, përfshirë instalimin e tyre, në kuadër të zbatimit të projektit ReWaste në Dibër.
Afati për dorëzimin e ofertave është 17 gusht 2026, në ora 16:00, sipas kohës lokale.
Operatorët ekonomikë të interesuar mund ta shkarkojnë dosjen e plotë të tenderit dhe dokumentet përkatëse më poshtë.
Çdo kërkesë për sqarim ose informacion shtesë duhet të paraqitet në përputhje me kërkesat dhe procedurat e përcaktuara në dosjen e tenderit.
Të gjitha sqarimet, korrigjimet ose informacionet shtesë eventuale do të publikohen në faqen zyrtare të Komunës së Dibrës dhe do të komunikohen në përputhje me dosjen e tenderit.
“Projekti ReWaste zbatohet në kuadër të Programit Interreg VI-A IPA ‘Greqi – Maqedonia e Veriut 2021–2027’ dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian në masën 80% dhe nga fondet kombëtare në masën 20%.”
Njoftohen të gjithë bletarët në territorin e Komunës së Dibrës se më 16.07.2026 (e enjte), në intervalin kohor nga ora 18:00 deri në ora 06:00, do të kryhet dezinsektim tokësor kundër mushkonjave.
Dezinsektimi do të realizohet nga kompania TRULI NOLEN NM LLC, me pajisje ULV, dhe do të përfshijë sipërfaqet e gjelbra, bregun e Liqenit të Dibrës, deponitë dhe zonat përreth, si dhe vendbanimet e parashikuara në planin e dezinsektimit.
Luten të gjithë bletarët që të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e bletëve gjatë kohës së realizimit të dezinsektimit.
Në rast të kushteve të pafavorshme atmosferike, dezinsektimi do të shtyhet dhe do të realizohet në ditën e parë me kushte të përshtatshme.